Blog

 

“Përse çdo biznes duhet të ketë një skemë pensioni” / “Facilization” ndan arsyet që e bënë të mendojë më gjatë

“Përse çdo biznes duhet të ketë një skemë pensioni” / “Facilization” ndan arsyet që e bënë të mendojë më gjatë

Në fund të vitit të kaluar, hyri në fuqi një ligj i hartuar në mënyrë të atillë që dukej sikur çdo kërkesë e parashtruar nga shoqëritë administruese të fondeve të pensionit privat, por edhe kërkesat e anëtarëve të tyre, ishin marrë parasysh. Ky ligj, u komentua për një sërë risish dhe u vlerësua si një ndryshim mjaft pozitiv, por mbi të gjitha si një mekanizëm që do të shtynte individë dhe punëdhënës për ta menduar pensionin privat si alternativë të favorshme për të siguruar një pension shtesë krahas atij publik.

Facilization, kjo kompani 15-vjeçare në fushën e Teknologjisë së Informacionit, është një prej atyre që është vendosur në lëvizje; ka krijuar një skemë pensioni në Credins Invest dhe po mendon padyshim për një të ardhme të qëndrueshme.

Drejtuesja e Burimeve Njerëzore, Gentiana Josifi, ndalet gjatë në arsyet që fshihen pas këtij vendimi, analizon të gjitha benefitet që kompania do të përfitojë nga fondi i pensionit privat, si dhe lëshon një thirrje për të gjitha sipërmarrjet vendase.

Për shumë, ju ftojmë të lexoni intervistën më poshtë.

Përse Facilization ka vendosur të hapë një fond pensioni privat për punonjësit?

Facilization ua ofron fondin e pensionit privat punonjësve të saj, prej disa vitesh tashmë. Është fond i krijuar posaçërisht për të kontribuar në të ardhmen e tyre financiare, ndërkohë që nxit motivimin dhe kënaqësinë në punë. Nisur nga kjo, e kemi parë si një alternativë të jashtëzakonshme për marrëdhënie të konsoliduar dhe afatgjatë. Si një mundësi që, ushqen kapilarët e kompanisë. I kemi besuar Credins Invest, duke u nisur nga eksperienca e saj shumëvjeçare, përgjegjshmërisë dhe përkushtimit të treguar.

Si do ta përkufizonit me tre fjalë ligjin e ri për fondet e pensionit privat?

  • Standard më i lartë në menaxhimin e fondeve;
  • Më shumë incentiva;
  • Më shumë përfitime për punëdhënësit dhe individët që marrin pjesë në fond.

Pak e vështirë t’i përgjigjesh pyetjes suaj me tre fjalë, apo jo? (E intervistuara qesh)

Çfarë benefitesh do të listonit aktualisht nga risitë që ka sjellë ligji i porsa hyrë në fuqi, nëse do t’i vlerësonit ato nga dy këndvështrime, në atë të punëdhënësit dhe punëmarrësit?

Mendoj se ligji i ri për fondet e pensionit privat sjell:

  • Mundësi për të kursyer më shumë dhe njëkohësisht për të paguar më pak tatim mbi të ardhurat personale;
  • Përfitim fiskal monetar të drejtpërdrejtë dhe disiplinim të tërheqjes së pensionit në mënyrë periodike:
  • Favorizim të punëdhënësve në skemën e tyre të pensionit për punonjësit;
  • Transparencë dhe informacion i detajuar për anëtarët e fondit.

 

Mjafton të ndalesh paksa në risitë e këtij ligji për të dalë në përfundimet e mia dhe ato janë:

  • Rritja e kufirit maksimal vjetor të zbritshëm për efekt tatimi mbi të ardhurat personale, nga një vlerë fikse e pandryshuar (nga viti 2009) prej 200,000-250,000 Lekë, në pagën minimale vjetore prej 480,000 Lekë. I njëjti limit vlen edhe për kompani si Facilization, që kontribuojnë për pensionin privat të punonjësve të tyre.
  • Lehtësia tatimore në momentin kur pjesëmarrësi në fond vendos të dalë në pension 5 vite para moshës së përcaktuar nga ligji, e të tërheqë kontributet e mbledhura në formë periodike.
  • Fondi i pensionit me pjesëmarrje të mbyllur, që parashikon kushte të caktuara nga vetë punëdhënësit (p.sh: numrin e punonjësve që përfitojnë nga skema e pensionit, tarifa e administrimit, politika e investimit, periudha e kushtëzimit, etj.)
  • Vendosja në dispozicion e çdo informacioni nga shoqëritë administruese, që lidhet me kontributet në fondin e pensionit privat dhe lëvizjet e mundshme financiare.

Më lejoni të shtoj se të gjitha hapat e ndërmarra, ndonëse janë me të vërtetë mjaft pozitive, nuk e ndalin nevojën e madhe për të ndërtuar besim te punëdhënësit dhe punëmarrësit përsa i takon pensionit privat. Shoh të domosdoshëm komunikimin e vazhdueshëm me publikun, qartësinë në informim dhe mbi të gjitha, ndërgjegjësimin se skema publike e pensioneve nuk mjafton për një të ardhme të qetë e pavramendje.

Cila do të ishte thirrja juaj për bizneset dhe qëndrimin që duhet të kenë kundrejt skemës së pensionit privat, si drejtuese e Burimeve Njerëzore në kompaninë Facilization?

Thirrja ime do të ishte të hidhnim sytë drejt tregut global, ku skema e pensionit privat dominon në paketat e shpërblimeve dhe benefiteve. Punëdhënësit vendas duhet të kuptojnë se me lehtësimet fiskale që sjell ligji i ri, ky është momenti i  duhur për të patur një skemë pensioni. Ata duhet ta shohin këtë nismë si një investim që i bën ata më konkurrues në tregun e punës, pikërisht sepse kënaq e motivon punonjësit dhe këta të fundit janë ata që do të mundësojnë produktivitet dhe performancë më të lartë për biznesin e tyre.