Blog

Fondi Credins Premium

Fondet e investimit (ose sipërmarrjet e investimeve kolektive – SIK) janë instrumente investimi, të ndërtuara nga grupimi i fondeve të shumë investitorëve, e të administruara nga Shoqëria manaxhuese, me objektiv investimin e këtyre fondeve për të gjeneruar të ardhura për investitorët. Të ardhurat totale nga Fondet e investimit përbëhen nga të ardhurat nga interesat dhe fitimi/humbja nga rivlerësimi i kapitalit.

 

Fondi i Investimit “Credins Premium” është lançuar më 1 Korrik 2016, nga Shoqëria administruese Credins Invest sh.a. dhe objektivi i Fondit është maksimizimi të ardhurave të investitorëve, duke ruajtur kapitalin dhe likuiditetin. Fondi është i denominuar në monedhën vendase Lek. Tarifa e kostos së administrimit të Fondit do të mbahet nga Vlera Neto e Aseteve të Fondit dhe është në masën 1% në vit.

Si mund të investoni?

Investitorët mund të anëtarësohen në fond nëpërmjet investimeve të menjëhershme ose planit të investimit periodik sipas vlerës dhe periodicitetit vendosur nga vetë investitori. Produkti është tejet likuid dhe nuk aplikohen komisione hyrje apo dalje nga fondi. Investitorët mund të blejnë kuota dhe të tërheqin një sasi apo totalin e kuotave pa asnjë penalitet. Për tu anëtarësuar në fond ju duhet të paraqiteni më një mjet identifikimi pranë zyrës qëndrore Credins Invest ose pranë rrjetit të agjentëve të autorizuar për shitjen e kuotave të fondit të investimit “Credins Premium”:

Rrjeti i Shitjes së Fondit të Investimit “Credins Premium”

Pyetjet më të shpeshta dhe përgjigjet

1. Në çfarë monedhe është Fondi i Investimit Credins Premium?

Fondi i Investimit Credins Premium është një fond në monedhën vendase LEK.

2. Cilat janë mënyrat e investimit

Investimi mund të jetë i menjëhershëm ose shuma periodike duke filluar nga 2’000 lekë/muaj.

3. Ku investohen asetet e fondit?

Asetet e fondit investohen kryesisht në tituj të emetuar ose garantuar nga Qeveria e Republikës së  Shqipërise, Obligacione dhe Bono Thesari.

4. Çfarë është banka depozitare dhe cila është ajo për fondin e investimit “Credins Premium”?

Banka depozitare është banka e licencuar nga Republika e Shqipërisë për të ofruar shërbime kujdestarie, depozitimi dhe të besimit. Depozitari është përgjegjës për ruajtjen e aseteve të fondit të investimit dhe të aseteve të anëtarëve në fond. Banka depozitare për fondin e investimit “Credins Premium” është Abi Bank.

5. Është fikse norma e kthimit në fond?

Norma e kthimit në fond është e lidhur ngushtë me ecurinë e Titujve të Shtetit, bonove dhe Obligacioneve. Si rrjedhojë, vlera e investimit luhatet në varësi të tregut të letrave me vlerë. Norma e kthimit në fond është e ndryshueshme dhe jo fikse.

6. A është i siguruar fondi nga ASD?

Jo, Fondi nuk është i siguruar nga ASD sepse investohet në tituj të shtetit shqiptar.

7. Cili është niveli i rrezikut në fond?

Në një matricë risku nga 1 deri në 7, Fondi ka profil risku të ulët në nivelin 2. Investitorët në fond janë të ekspozuar ndaj rrezikut që mbartin asetet në fond. Rreziku nuk mund të shmanget asnjëherë plotësisht, pasi në situata tregu të tensionuara apo të jashtëzakonshme investitori mund të humbasë kapital për periudha kohore të shkurtra ose të gjata.

8. Sa gjatë duhet të qendroj në fond?

Fondi i investimit “Credins Premium” nuk ka afat, por horizonti i investimit është shumë i rëndësishëm. Nga fondi mund të tërhiqesh në çdo moment, por ne i orientojmë klientët të qëndrojnë në fond të paktën 24 muaj.

9. Ka rëndësi nga dhe ku kalojnë fondet? Pra, nëse unë kam një llogari rrjedhëse në një bankë të ndryshme nga Credins, mund të anëtarësohem?

Patjetër, ju anëtarësoheni në fond edhe nëse nuk keni llogari në Credins Bank, por ju duhet të keni patjetër llogari në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri. Në llogarinë e fondit në bankën depozitare ju mund të transferoni fondet nga llogaria juaj rrjedhëse pavarësisht në cilën bankë e keni llogarinë.

10. Çfarë komisionesh kam për transfertën nga llogaria rrjedhëse tek Fondi?

Nëse ju e keni llogarinë rrjedhëse në Bankën Credins, ju nuk do të paguani asnjë komision për transfertën në llogarinë e fondit në bankën depozitare ABI Bank. Nëse ju i keni fondet në llogari rrjedhëse të çdo banke tjetë të nivelit të dytë ju do të paguani komisionet sipas kushteve të bankës ku ju keni llogarinë.

11. Çfarë ndodh pasi transferoj paratë në bankën depozitare? Paratë rrinë në bankën depozitare?

Pasi kaloni paratë në llogarinë e fondit pranë bankës depozitare Abi Bank, Analistët e investimeve në Credins Invest, urdhërojnë investimin e parave nga llogaria e fondit në Abi Bank në Tituj të shtetit Shqiptar. Abi Bank monitoron urdhërat e investimeve, që këto të fundit të jenë në përputhje me prospektin e aprovuar nga Autoriteti Mbikëqyrjes Financiare. Paratë nuk qëndrojnë në llogarinë e fondit, por ato investohen.

12. A mund ta kem fondin me 2 emra?

Jo, fondi i Investimit nuk mund të krijohet me dy emra. Fondi i investimit “Credins Premium” është individual, por kundrejt një prokure specifike ju mund të autorizoni persona të tjerë për të kryer veprime me fondin për llogari tuajën.

13. Sa është tatimi që paguaj?

Tatimi është 15% e interesit të fituar për periudhën e investuar dhe aplikohet në momentin e tërheqjes së fondit.

14. Nëse më duhen paratë, për sa ditë më kalojnë në llogari?

Nga momenti që ju bëni kërkesën e tërheqjes, brenda 7 ditësh ne kemi detyrim ligjor t’ju kalojmë paratë në llogarinë e konfirmuar nga ju. Tërheqja mund të jetë e pjesshme ose totale, në bazë të kërkesës së klientit.

15. Ku mund të gjej informacion më të detajuar për fondin?

Investitori pajiset me një emër përdoruesi dhe fjalëkalim në momentin e anëtarësimit, dhe mund ta kontrollojë balancën e fondit online 24/7. Çdo muaj në faqen zyrtare www.credinsinvest.com publikohet performanca 12 mujore e fondit si dhe ecuria e tregut.